Siguria e Ushqimit në Kosovë http://www.mediaconsult.al/wp-content/uploads/2019/04/Foto-2.jpg

Fermerët rrisin kualitetin e qumështit, falë trajnimeve të organizuara nga BE-ja

Edhe pse industria e qumështit viteve të fundit ka pasur një rritje të kënaqshme duke bërë që konkurrenca e këtij produkti të jetë e madhe me çka edhe konsumatorit i është mundësuar të bëjë zgjedhjen më të lehtë të tij, arritja deri tek kualiteti i kërkuar i produktit të përditshëm të tryezave të konsumatorëve varet nga disa faktorë.

Përpos racës së gjedhit dhe ushqimit adekuat, një rëndësi të madhe i duhet kushtuar edhe higjienës së ambientit të fermës dhe ajrosjes, pastaj higjienës së makinave për mjeljen e lopëve dhe pajisjet për deponimin e ftohjes së qumështit.

Me mbështetje të Bashkimit Evropian, 311 kanë mësuar për praktikat më të mira për higjienën e kafshëve, përmes 45 trajnimeve të organizuara dhe ku një nga çështjet kryesore të mësuara ka qenë ajo për trajtimin e sëmundjes së Mastitisit, e cila në fermat në vendin tonë është e përhapur.

“Mastitisi është një sëmundje e gjirit të lopës që është një problem i madh në fermat tona dhe në këtë rast fermeri duhet të ketë kujdes. Kjo është një metodë shumë e shpejtë. Brenda 10 sekondave mund ta identifikojmë nëse lopa në këtë rast gjiri i lopës ka problem me sëmundjen e mastitisit. Këtu janë katër pjesë të gjirit, të cilat i kemi marrë mostrat e qumështit edhe do ta demonstrojmë më këtë tretje California Mastitis Test (CMT) nëse komplet gjiri apo një pjesë e gjirit të lopës ka problem. Një pjesë e sasisë së qumështit prej 2 mililitrave e vendosim, po të njëjtë sasi vendosim edhe tretje dhe në secilën pjesë e vendosim tretjen dhe në momentin që e vendosim tretjen e bëjmë një rrotullim të lehtë edhe e shohim a ka problem, a po ndryshon forma e qumështit apo jo. Në momentin kur ndryshon forma e qumështit, apo qumështi bëhet i trashë, koagulohet, mpikset, atëherë ai gji i lopës ka problem, është i lartë numri i qelizave simatike dhe në këtë rast fermeri duhet të intervenoj në mënyrë që ta parandaloj apo të mos kaloj lopa në mastitis kronik”, ka deklaruar Gursel Arifi, Specialist i Blegtorisë.

Ai ka deklaruar se pos pastrimit të makinave mjelëse, një masë e domosdoshme është edhe higjiena e përgjithshme në fermë, duke filluar nga ndriçimi i mjaftueshëm në fermë, ventilimi i mirë, hapësirën e lopëve, shtrati i lopës duhet të jetë i përshtatshëm si për sistemin e lidhur, ashtu edhe në sistemin e lirë.

Fermeri, Ilir Pervorfi që ka 42 krerë gjedhesh në fermën e tij, ka deklaruar se falë ndjekjes së këtyre rregullave, arrin të përfitoj subvencionim nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për kualitetin e qumështit.

“Si punë kryesore është higjiena, si në shëndet të lopëve, si në pastërti të qumështit, si në çmim, si në të gjitha, higjiena është një pikë kryesore tek një fermë. Nëse do me pas rezultat, higjiena është një prej gjërave kryesore. Kemi pasur edhe trajnime. Duhet përkushtim, duhet punë e madhe për të mbajtur higjienën tek një fermë. Këtu behet larja tri herë në ditë e fermës. Tek mjelja së pari i pastrojmë me ujë dhe pastaj i jodizojmë në fund”, ka thënë fermeri Ilir Pervorfi.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ për standardet e cilësisë dhe kategorizimit të qumështit të freskët të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural qumështi kategorizohet në tri klasa.

Në klasën ekstra, në klasën e parë dhe në klasën e dytë dhe për këto tri kategori, fermeri mund të marrë subvencione nëse prodhon qumësht sipas standardeve të parapara në Udhëzimin Administrativ.

Plotësimi i këtyre standardeve u mundëson fermerëve që të marrin edhe benificione nga shteti.

Fermerët që arrijnë të kenë qumështin ekstra klasë, marrin 6 centë për litër, për klasën e parë 4 centë dhe për klasën e dytë 2 centë.

Arsim Memaj, shef i Divizionit për Blegtori në MBPZhR ka deklaruar se një nga kushtet që mundësojnë që një fermer të ketë qumështin kualitativ për të marrë mbështetjen e ministrisë është edhe raca e gjedheve, pasi nuk mund të ketë blegtori të zhvilluar dhe profitabile po që se mungon një politikë e qatë për të përmirësuar gjenetikën racore.

“Ministria e Bujqësisë përpos programeve për përmirësim racor të cilat i mbështet përmes uljes së tarifave doganore për importin e materialit biologjik, ka pasur fatin që të marrë edhe një donacion nga qeveria italiane për ngritjen e qendrës gjenetike për përmirësimin racor të gjedhit, i cili është një mekanizëm institucional. Aktualisht është duke u menaxhuar nga një ekspertizë lokale nga veterinerë të specializuar në fushën e riprodhimit dhe në bashkëpunim me këtë projekt ne kemi zhvilluar edhe programin për zhvillimin e kësaj qendre gjenetike. Aktualisht qendra gjenetike është duke prodhuar material biologjik për riprodhim, ndërsa në perspektivë gjithnjë sipas dokumentit që e kemi zhvilluar me projektin, pritet që të marr edhe kompetenca shtesë jo vetëm në fushën e riprodhimit në kuptimin teknik të fjalës, por edhe në kuptim të administrimit të programeve për përmirësim racor. Në fillim të këtij projekti gjithsesi marrë parasysh kërkesat e blegtorisë së Republikës së Kosovës, jemi dakorduar që në kuadër të këtij projekti në bashkëpunim me ekspertizën e këtij projekti të punojmë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për qasjen institucionale për ruajtjen e resurseve nacionale të racave autoktone”, deklaroi Memaj.

Trajnimet e fermerëve për përmirësimin e higjienës janë zhvilluar në kuadër të projektit “Siguria e Ushqimit dhe Mbarështimi i Blegtorisë në Kosovë”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga konsorciumi Opera, Pan Livestock dhe Instituti Zooprofilaktik Eksperimental i Breshias.

Fermerët rrisin kualitetin e qumështit, falë trajnimeve të organizuara nga BE-ja

Industria e qumështit viteve të fundit ka pasur një rritje të kënaqshme duke bërë që konkurrenca e këtij produkti të jetë e madhe me çka edhe konsumatorit i është mundësuar të bëjë zgjedhjen më të lehtë të tij. Mirëpo për të arritur deri tek kualiteti i kërkuar i produktit të përditshëm të tryezave të konsumatorëve varet nga disa faktorë….

Publiée par Media Consult sur Mercredi 20 février 2019